Tashmë isha i shkëputur nga familja totalisht, nuk kontrolloja celularin dhe kisha nevojë të rrija vetëm. Më mungonte mamaja dhe e dija se është shqetësuar shumë, por që brenda vetes e dija se sapo t’i tregonte vëllai, asaj s’do i mungoja më.
Vendosa të ndez celularin dhe shoh shumë thirrje dhe mesazhe kërcënuese nga vëllai dhe shumë e shumë gjëra të tjera, por që nuk kisha durim që të vazhdoja me këtë dramë, vendosa të distancohem nga familja përfundimisht dhe vetem kur te ndihem gati të flas do te pergjigjem.
E vetmja gjë që kishte rëndësi për mua tani ishte jeta ime, fillova të bëja seanca këshillimi që na mundësonte “Streha” t’i bënim falas. Po punoja shumë me veten dhe pas disa javësh isha gati që të flisja sërish me familjen.
Më merr familja ime dhe do vinin të më takonin ne Tiranë dhe të bisedonim. Unë sigurisht që nuk isha gati, por thjeshtë doja që kjo pjesë që më kishte mbetur peng të mbaronte.
Me ndihmën e stafit të Strehës, ndihesha gati dhe arrita të ballafaqohem me prindërit, vëllai fatmirësisht nuk kishte treguar gjë dhe unë përgjigjesha vetëm për ato pyetje që doja. Më është bërë aq shumë presion që të kthehesha, por unë isha i vendosur dhe kthimi në familje dhe në jetën time të mëparshme as që ishte një alternativë për mua. Përshendetem me prindërit dhe kthehem në Strehë , ndihesha aq i lehtësuar, aq i qetë saqë s’doja ta humbisja këtë ndjenjë.
Pas shumë kohësh dhe punë me veten u ndjeva që jam gati të dal dhe të kërkoj për punë. Puna për mua nuk ishte diçka e re, kisha punuar me orare të stërzgjatura në biznesin e familjes që nga mosha 12 vjeçare.
Duke kërkuar me stafin e Strehës punë, ndenjëm deri vonë derisa gjetëm disa alternativa, bëmë disa kopje të CV-së time dhe të nesërmen aplikova në këto vende. Prita përgjigjje për disa ditë dhe nuk po merrja asnjë, fillova të ndihem keq për veten, saqë isha gati të hiqja dore dhe të mos kërkoja punë fare. Me ndihmën e stafit që më shtynin aq fort që të mos hiqja dorë, gjej punë në një call-center, ku takoj dy persona shumë të vecantë për mua dhe që bëhemi miq që nga dita e parë.
Muaj pas ikjes sime, e ndjej nevojën që të dalë hapur tek mamaja, në atë kohë vetëm me mamanë kisha raportet në rregull, kisha shkruajtur një letër në të cilën kisha shprehur gjithçka, pas shumë përpjekjesh lexoj këtë letër gjersa flasim ne celular, mua po më rridhnin lotët dhe me dridhej zeri, gjersa po përfundoja së lexuari, mamaja më ndërpret dhe më thotë se nuk ka rëndësi orientimi im, unë gjithmonë do jem djali i saj, në atë moment unë shpërtheva në lot edhe më shumë, ishte momenti më i lumtur i jetës sime.
Tani jam i lirë të jem vetvetja, tani jam i pavarur, tani mund të jetoj i lirë.
Të gjitha këto që i kam sot, janë falë Strehës dhe stafit të saj. Nëse s’do të ishte Streha, unë s’do të kisha një vend ku të qendroja, s’do kisha të gjithë mundësitë që më janë ofruar gjatë kohës që isha aty dhe as nuk dua ta mendoj se çdo të kishte ndodhur me mua dhe me jetën time.
