galaja e bamirësisë për komunitetin Lgbti+ 2024


Jemi të emocionuar të njoftojmë se Mbrëmja Gala e Bamirësisë për komunitetint LGBTI+ rikthehet për të 8-in vit rradhazi, në një thirrje për më shumë mbështetje për shërbimet fuqizuese që Qendra Streha ofron për të rinjtë dhe të rejat e komunitetit LGBTI+. Ju ftojmë të ruani datën 16 Maj në Kalendar!

Prej vitit 2015, kemi arritur të bëjmë bashkë miq e dashamirës së qendrës sonë, aktivistë, figura publike, artistë dhe politikanë rreth kauzës së barazisë për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri, i cili ende sot vijon të përballet me mjedise armiqësore dhe jo-pranuese në të gjithë sferat e jetës publike. Qendra jonë, menaxhon me sukses strehën e parë dhe të vetme për të rinjtë dhe të rejat e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, të cilët nuk pranohen nga familjet e tyre dhe shoqëria për shkak të identitetit të tyre gjinor apo orientimit seksual. Ne jemi pranë personave LGBTI+ të cilët përballen me diskriminim të shumëfishtë dhe që kanë vështirësi në përballjen e jetesës së përditshme në mungesë të mbështetjes së familjarëve, miqve, apo shoqërisë.

Një traditë e konsoliduar tashmë, Mbrëmja Gala e Bamirësisë është rritur për t’u bërë një ngjarje e rëndësishme kushtuar mbështetjes së strehës sonë. Kjo natë e veçantë nuk është thjeshtë një ngjarje në kalendar, por shërben gjithashtu si një jelek shpëtimi për vijimësinë e ofrimit të shërbimeve tona mbështetëse. Të ardhurat e mbledhura nga kjo mbrëmje, na ndihmojnë të mbushim boshllëkun kritik të financimit me të cilin përballemi çdo vit.

Prandaj, ju ftojmë të përgatiteni për një mbrëmje të mbushur me emocione, performanca magjepsëse dhe një ankand arti të veçantë. Me pjesëmarrjen tuaj në mbrëmjen tonë gala, ju jo vetëm do të bëheni pjesë e një eventi kulturor dhe artistik, por do të keni gjithashtu mundësinë të njiheni nga afër me punën tonë, të takoheni me miqtë dhe mbështetësit vendas dhe ndërkombëtar të Strehës, si dhe të shkëlqeni në tapetin tonë të kuq në një nga vendet më shik të Tiranës. Fotografin dhe sfondin për fotot tuaja në Instagram jua sjellim ne, juve ju mjafton vetëm buzëqeshja!

Me pjesëmarrjen tuaj, ju do të mbështesni drejtpërdrejt misionin tonë për të ofruar shërbime jetike për komunitetin LGBTI+ në Shqipëri.

Le të bashkohemi për të nderuar diversitetin dhe për të përqafuar gjithëpërfshirjen. Kontributi juaj do të ketë një ndikim të qëndrueshëm në jetët që ne përpiqemi të mbrojmë, fuqizojmë dhe të lartësojmë.

Hidhini një sy foto galerive nga mbrëmjet e shkuara Gala dhe frymëzohuni për pjesëmarrjen tuaj më 16 Maj. Pritja fillon në orën 19:30 ndërsa programi artistik në orën 20:00. Biletat kushtojnë 120 Euro dhe në biletë përfshihet menuja e plotë dhe pijet, mundësia për tu bërë pjesë e ankandit tonë si dhe një mbrëmje magjike plot muzikë dhe kërcim.

Të gjithë paratë e mbledhura nga shitja e biletave shkojnë për mbështetjen e shërbimeve tona dhe të mirëqenies së banorëve tanë në Strehë. Për pyetje, informacion apo kërkesa për dhurime, ju lutem mos hezitoni të na kontaktoni në adresën info@strehacenter.org ose në numrin e telefonit +355 69 983 9189.

Shihemi më 16 Maj!

Facebook
Twitter
LinkedIn
WhatsApp
Scroll to Top