Një natë ngjyrash më 16 maj

Më 16 Maj, në një mbrëmje magjike mes miqsh, aleatësh, artistësh dhe aktivistësh, Streha LGBT organizoi mbrëmjen e 8 Gala të Bamirësisë për komunitetin LGBTI+, një aktivitet i cili pati për qëllim ngritjen e fondeve për përmirësimin dhe fuqizimin e shërbimeve tona.

Më 16 Maj, në ambjentet e Plaza Tirana, u organizua mbrëmja gala ‘Një natë ngjyrash’.

Kjo mbrëmje e jashtëzakonshme mblodhi 180 personalitete të njohur të skenës dhe art dhe u shoqërua me një program të kuruar artistik i cili kishte për qëllim mbështetjen e drejtpërdrejtë të rezidentëve LGBTI+ të Strehës dhe të punës sonë me komunitetin LGBTI+.

Mbrëmja gala u moderua nga Blendi Salaj dhe u shoqërua me performancë artistike nga Kamela Islamaj & Band si dhe Ada Dimo. Artistë të njohur si Ergys Krisiko,  Ema Bregu, Ilda Buxhaku dhe Ibraldo Aliraj dhuruan krijimet e tyre për mbrëmjen gala, të cilat u prezantuan në ankandin tonë të artit. Sipërmarrje të rëndësishme ofruan produktet e tyre në një ankand të heshtur, ndërsa një sërë biznesesh ndihmuan në organizimin e mbrëmjes gala si dhe dhuruan fonde në mbështetje të punës sonë të palodhur me të rinjte dhe të rejat e komunitetit.

Në fjalën e saj përshendetëse, drejtoresha ekzekutive e Strehës Adelajda Alikaj, mirëpriti përfaqëuesit e trupit diplomatik në Shqipëri, përfaqësuesit e institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, si dhe të gjithë mbështetësit e Strehës.

Misioni ynë te qendra ‘Streha’, është të sigurohemi që praktikojmë dashurinë për veten, fuqizojmë të kuptuarit se bota në të cilën besojmë, bëhet bota në të cilën jetojmë. Detyra jonë nuk është të kërkojmë dashuri, por të luftojmë të gjitha pengesat brenda vetes që kemi ngritur kundër saj. 

Në këtë mbrëmje, u rikonfirmua dhe njëherë mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkisë Tiranë si dhe Këshillit të Qarkut Tiranë për punën jetike të qendrës sonë, e cila mbështet, fuqizon dhe përkrah personat me të disavantazhuar të komunitetit LGBTI+.

Ministrja e Shëndetësisë znj.Albana Koçiu përshëndeti punën dhe bashkëpunimin me qendrën Streha dhe u zotua për një përkrahje të vazhduar në vitet në vijim. Pjesë e mbrëmjes gala ishin dhe nënkryetarja e Bashkisë Tiranë znj. Anuela Ristani, deputetët z.Bledi Çuçi dhe znj.Flutura Açka, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura si dhe të medias.

Gjatë mbrëmjes gala, u ndanë dhe çmimet e mirënjohjes për aleatët e vitit si dhe u festua krijimtaria e komunitetit me performanca dhe fjalime frymëzuese që çelin siparin e aktiviteteve të Muajit të Krenarisë LGBT në Shqipëri.

Një falenderim i vecantë shkon për sponsorat kryesor të kësaj mbrëmjeje: Abi Bank dhe Vodafone Albania. Një përshëndetje e përzemërt shkon për të gjithë bizneset dhe miqtë ndër vite të Strehës si Zyra e Këshillit të Evropës, Plaza Hotel, NOA Institucion Financiar, Raiffeisen Bank, Abkons, British Chamber of Commerce, Mrizi i Zanave, Bambo Spa, Geraldina Sposa, Velur Spa, Sound Healing, Kantina Pupa, Movenpick Hotel, Rock Tirana dhe Studio 1410.

Qendra Streha, ju shpreh dhe njëhere mirënjohjen e saj të gjithë mbështetësve, donatorëve dhe miqve tanë, të cilët u bënë bashkë dhe këtë vit në emër të dashurisë, në një natë ngjyrash.

Facebook
Twitter
LinkedIn
WhatsApp
Scroll to Top