Streha më ka fuqizuar për të ndihmuar dhe të tjerët si unë

Te jesh pjesë e komunitetit LGBTI në Shqipëri është e vështirë. Për mua është ndoshta më e vështirë sesa për të rinjtë e kryeqytetit. Unë vi nga një fshat në periferi, ku mentaliteti është i një shekulli të kaluar dhe ku gratë akoma mbajnë barra drush mbi shpinë.

Gjatë gjithë kohës që kam kaluar në fshat, gjithnjë mendoja se isha ndryshe. Dhe në fakt isha ndryshe nga të gjithë. Jo se unë e shikoja veten si të tillë, por të tjerët e evidentonin këtë gjë gjithnjë tek unë.

Imagjinoni një djalë që kudo ku shkon bullizohet, sepse ai duket pak më “femëror” se të tjerët. Gjatë gjimnazit quhesha “miu i bibliotekes”, por të pakten kjo më pëlqente, sepse lexoja, kisha plane dhe ëndrra, kisha dëshira dhe nevojë për të mësuar më shumë.

Me padurim prita ditën kur do të filloja universitetin; ishte mundesia e artë për tu larguar kilometra larg nga gjithë ata njerëz. Vi në Tiranë, ku u përballa me nje realitet pak më pranues ose, ose le të themi një realitet menefregist. Mes këtij realiteti mora një shuplakë në fakultet, kur pedagogu më etiketoi si ai i “lezbosit” (qytetit ku mendohet se të gjithë ishin homoseksual) dhe kështu për mua vazhdoi etiketimi si i tillë nga i gjithë auditori.

Nisi përballja me problematika të ndryshme që nuk i kisha planifikuar. Unë e kisha imagjinuar Tiranën si “tokën e premtuar”.

U përballa me përbuzjen e parë në punë, pasi nuk isha “i fortë mjaftueshëm” që të kryeja punët që më jepeshin.  Më pas gjithcka shkonte akoma edhe më keq, pasi u përballa dhe me vështirësi të tjera ku familja nuk më ndihmonte dot me shpenzimet e jetesës në Tiranë. Jetesa është tejet e vështirë për një student që akoma nuk është profilizuar diku. Për shkak të etiketimeve dhe bullizmit, gjeta zgjidhjen tek braktisja e shkollës. Kjo më theu gjithë ëndrrat e mia, por edhe u lehtesova. Ishin disa sy më pak, disa veështrime më pak.

Pandemia po e bënte të veshtire edhe punën, edhe mbijetesën. Pikërisht në momentin që mendoja se isha në fundin e gjithckaje, u vura në kontakt me qendrën Streha. Në fillim u stepa, pasi nuk mendoja se do kishte një strehë për mua, apo për të gjithë ne “të përzënët nga parajsa”. U ambjentova shpejt me mënyren se si funksiononte gjithcka dhe kjo mënyre më beri te jem akoma dhe më mirë me veten dhe me të tjerët.

Përpos ndihmës që marr në aspektet psikosociale, jam ndihmuar edhe në nevojat e tjera që në pamje të parë janë bazike, por tejet të rëndesishme, aq më tepër për mua që tashmë po përpiqem të “shëroj” veten prej gjithë atyre traumave dhe situatave që mua më shoqëronin që nga femijëria.

Aty gjeta nje staf të afërt dhe ndihmues, tashmë kam plane për të ardhmen që të rifiloj një universitet nga e para dhe të jap më të mirën nga vetja.  

Punonjëset e Strehes më thanë se Bashkia Tiranë po ofron për komunitetin kurse të formimit professional dhe mund te zgjidhja të bëja kë të dëshiroja. Kisha mundesi të profilizohesha në një profesion, pashë disa alternativa por vendosa të ndjek një kurs për të përmiresuar anglishten. Duke qenë se planet e mia lidhen me arsimin e lartë, e pashë anglishten si më të nevojshme. Tashmë po mësoj një gjuhë të huaj që më parë do e kisha të pa mundur dhe kjo më sjell akoma më tepër mundësi edhe në tregun e punës.

Me këto mundësi ndihem dhe vërtetoj se atë lëmishin që kisha me jetën, po e zgjidh pak e nga pak, duke pasur njerëz afër dhe janë pikerisht këto njerëz që bëjnë më të mirën e mundshme për të më mbështetur, përkrahur dhe ndihmuar konkretisht në cdo aspekt të jetës sime.

E gjitha kjo më jep fuqinë të pranoj veten për këtë që jam, ndryshe nga më parë që shikoja se ekzistenca ime ishte e gabuar, vetëm se ma kishin mësuar si të tillë.  Tashmë kam ëndrra për veten dhe për të ndihmuar komuntetin tim.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s