Problemet e shëndetit mendor janë të përhapura në popullatën e personave biseksualë. Këto probleme vijnë si pasoje e stigmatizimit, shtypjes dhe diskriminimit me të cilin ata dhe të tjerë individë të komunitetit LGBTI+ përballen. Të gjithë këta faktorë mund të kontribuojnë në rezultate negative të shëndetit mendor.
Biseksualiteti është një lloj orientimi seksual. Një person është biseksual kur përjeton një tërheqje seksuale, tërheqje romantike, ose të dyja në më shumë se një gjini.
Njerëzit biseksualë mendohet se përbëjnë popullsinë më të madhe brenda komuniteteve LGBTI+. Sidoqoftë, ka një mungesë kërkimesh në lidhje me çështjet e shëndetit mendor tek njerëzit biseksualë.
Statistikat e shëndetit mendor për njerëzit biseksualë
Një raport i vjetër nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në San Francisko vëren se njerëzit biseksualë përbëjnë popullsinë më të madhe të vetme brenda komuniteteve LGBTI+. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (APA), afërsisht 3.9% e popullsisë së rritur të Shteteve të Bashkuara janë biseksualë.
Sidoqoftë, mungon një hulumtim i rëndësishëm për shëndetin mendor tek njerëzit biseksualë.
Në një studim të vitit 2020, që shikonte shëndetin mendor tek njerëzit biseksualë australianë, 72% e pjesëmarrësve raportuan nivele të larta ose shumë të larta të shqetësimit psikologjik. Hulumtime të tjera gjithashtu theksojnë se njerëzit biseksualë përjetojnë përqindje më të larta për depresionin dhe ankthin, në krahasim me personat gej dhe lezbike.
Në veçanti, gratë biseksuale përjetojnë përqindje më të larta të këtyre shqetësimeve, kryesisht në formën e çrregullimeve të humorit dhe ankthit. Në mënyrë të ngjashme, burrat biseksualë gjithashtu përjetojnë norma më të larta të çrregullimeve të humorit dhe ankthit sesa meshkujt heteroseksualë.
Hulumtimet gjithashtu tregojnë se ekziston një rrezik më i lartë i vetëvrasjes dhe dëmtimit tek individët biseksualë, sesa tek njerëzit heteroseksualë, homoseksualë dhe lezbike.
Depresioni dhe biseksualiteti
APA vëren se njerëzit biseksualë kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion sesa individët heteroseksualë, homoseksualë dhe lezbike.
Sipas studimeve të kryera nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, vërehet se burrat biseksualë dhe homoseksualë kanë rreziqe më të larta të depresionit të rëndë.
Një studim i vitit 2015 sugjeron që gratë biseksuale kanë 26% më shumë gjasa të ndihen në depresion sesa gratë lezbike.
Studimet e kryera kistojnë tre shkaqe të mundshme të depresionit:
Diskriminimi i bazuar në orientimin seksual: Individët biseksualë mund të përjetojnë stigmë, paragjykime dhe diskriminim që është cilësisht i ndryshëm nga ai për individët lezbike dhe homoseksualë.
Padukshmëria mbi biseksualitetin: Kjo padukshmëri është shpesh rezultat i delegjitimizimit të identitetit biseksual, siç janë njerëzit që i perceptojnë individët biseksualë si ose vetëm heteroseksualë ose homoseksualë.
Mungesa e mbështetjes biseksuale-afirmative: Kjo mund të përfshijë mungesën e mbështetjes nga partnerët e individëve biseksualë si dhe mungesën e mbështetjes nga brenda komunitetit LGBTI+ dhe shoqërisë më të gjerë.
Një studim i vitit 2020 nënvizon gjithashtu se profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të mos jenë aq të njohur me nevojat shëndetësore të individëve biseksualë, gjë që mund të rezultojë në rezultate negative për këtë popullatë.
Ankthi dhe biseksualiteti
Një përmbledhje studimesh dhe hulumtimesh e vitit 2018 nxjerr në pah shkallën e rritur të ankthit midis individëve biseksualë. Kjo vërejtje është rikonfirmuar edhe me një studim të vitit 2020, që vëren nivele më të larta të simptomave të ankthit tek njerëzit biseksualë.
Sipas CDC, burrat gej dhe biseksualë kanë një rrezik më të lartë për të pasur një çrregullim ankthi të përgjithësuar. Në mënyrë të ngjashme, gratë biseksuale kanë 20% më shumë gjasa të përjetojnë ankth sesa gratë lezbike.
Stresi dhe biseksualiteti
Një studim i vitit 2015 sugjeron që gratë biseksuale kanë më shumë gjasa të përjetojnë stres nga mjediset shoqërore për shkak të diskriminimit që rezulton nga heteroseksizmi dhe monoseksizmi. Kjo mund të bëjë që gratë biseksuale të përjetojnë shëndet më të keq mendor sesa gratë lezbike.
Njerëzit biseksualë gjithashtu ka të ngjarë të përjetojnë stres të pakicave. Ky koncept vjen nga fakti se njerëzit biseksualë kanë statusin e pakicës seksuale.
Një studim i vitit 2020 gjithashtu vëren se njerëzit biseksualë mund të kenë të ngjarë të përjetojnë stres të identitetit seksual në nivele të shumta. Kjo përfshin stresin nga pasiguria identitare apo nga fakti se për shkak të mungesës së vizibilitetit dhe mështetjes, ata duhet të fshehin më shpesh orientimin e tyre seksual, duke pasur një ndjenjë më të dobët të lidhjes dhe asociimit me komunitetin e gjerë LGBTI+.
Çrregullimet e të ngrënit dhe biseksualiteti
Një sërë faktorësh mund të ndikojnë në zhvillimin e çrregullimeve të të ngrënit tek njerëzit biseksualë, duke përfshirë vetëvlerësimin e ulët, diskriminimin, shëndetin e dobët mendor dhe ekspozimin ndaj pritshmërive të të tjerëve.
Sipas studimeve të përmendura më sipër, burrat biseksualë mund të kenë një rrezik më të lartë për të përjetuar dismorfinë e trupit dhe çrregullimet e të ngrënit.
Dëshmitë tregojnë se gratë biseksuale kanë dy herë më shumë gjasa të kenë një çrregullim të ngrënies sesa gratë lezbike. Gjithashtu individët biseksualë në tërësi kanë më shumë gjasa të përjetojnë zakone të çrregulluara të të ngrënit sesa individët heteroseksualë, probleme të tilla si anoreksia apo ngrënia e tepërt.
Fushata “Changing Hearts, Changing Minds” mbështetet nga programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës, përmes “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.
