Si stresi dhe homofobia ndikon në mirëqenien e personave gej, lezbike dhe biseksualë?

Ekspozimi ndaj ngacmimit, diskriminimit dhe dhunës për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, mund të shkaktojë dëme të mëdha në mirëqenien e përgjithshme të jetës së një personi, në marrëdhëniet shoqërore dhe në përditshmërinë e personave gej, lezbike dhe biseksualë.

Në vitet e fundit, studime të shumta kanë hulumtuar mbi ndikimin që urrejtja dhe ekspozimi ndaj dhunës, diskriminimi në vendin e punës dhe në shtëpi, si dhe statusi më i ulët socio-ekonomik mund të ketë në jetën e njerëzve LGBTI+.

Po cilat janë efektet e këtyre fenomeneve në shëndetin dhe nivelet e stresit që përjeton një person LGB+?

Hulumtimi i ri i publikuar së fundmi në revistën Health Psychology na jep një pamje më të qartë se si ekspozimi i vazhdueshëm dhe konstant i personave LGB+ ndaj qëndrimeve dhe sjelljeve homofobike ndikon në nivelet e stresit dhe mirëqenien e këtyre personave.

Studimi i ri sugjeron që ky ekspozim, mund të ketë një efekt të mundshëm negativ domino në shëndetin fizik dhe mendor të këtyre personave, duke çuar në probleme të tjera serioze shëndetësore kronike për lezbiket, gejt ose biseksualët.

Stresi i pakicave i referohet ankthit të qëndrueshëm kronik që pakicat ose njerëzit që janë pjesë e grupeve të stigmatizuara përjetojnë nga mikroagresionet, sulmet dhe diskriminimi i të gjitha formave.


Realiteti i stresit të pakicave për njerëzit lezbike, gej dhe biseksualë


Autori kryesor i këtij studimi, David M. Huebner, PhD, profesor i asociuar i parandalimit dhe shëndetit të komunitetit në Universitetin George Washington dhe ekipi i tij anketoi 134 amerikanë që identifikoheshin si lezbike, gej ose biseksualë. Duke përfshirë moshat 18 deri në 58 vjeç në studim, pjesëmarrësit u ftuan përmes mediave sociale dhe u rekrutuan në një festival krenarie LGBTI+. Pjesëmarrësit gjithashtu ishin pothuajse të ndarë në mënyrë të barabartë në meshkuj dhe femra.

Pjesëmarrësve u tha se do të ftoheshin në intervistë me një intervistues, i cili do të vlerësonte inteligjencën, pëlqyeshmërinë dhe aftësitë e tyre sociale përmes studimit.

Po si funksionoi studimi në fjalë?

Njërit grup të pjesëmarrësve u tha në një formular që ata plotësuan para intervistës, se personi që do t’i merrte në pyetje, kishte shprehur më parë qëndrime dhe pikëpamje politike kundër të drejtave LGBTI+. Grupit tjetër u tha se intervistuesit e tyre ishin mbështetës së kauzës për të drejta të barabarta për personat LGBTI+.

Pjesëmarrësit e studimit në të vërtetë nuk i panë intervistuesit e tyre t’u bënin drejtpërdrejt pyetje. Ata në vend të intervistës ballë për ballë, morën pyetje të regjistruara që ju thuhej se vinin nga intervistuesi. Kjo ishte për të shmangur mundësinë që pamja e intervistuesit të fuste paragjykimin e vet në studim.

Presioni i gjakut i çdo personi u monitorua gjatë gjithë eksperimentit dhe mostrat e pështymës u mblodhën për të parë nivelet e kortizolit, hormoni shkakëtar i stresit.

Rezultatet treguan se të dy grupet kishin ritëm të lartë të rrahjeve të zemrës dhe presion të shtuar të gjakut gjatë procesit të intervistës. Grupit që iu tha se intervistuesi kishte pikëpamje homofobike ndaj tyre, shfaqte luhatje më të mëdha të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut.

Në këtë grup gjithashtu nivelet e kortizolit te pjesëmarrësit ishin më të larta se e zakonshmja, i ndikuar nga frika se ato po intervistoheshin nga një person homofobik dhe jo-mbështetës.

“Pasi po vazhdonte studimi, pata një moment ku mendova se kisha bërë një gabim serioz në krijimin e këtij eksperimenti. Ne i ekspozuam të gjithë pjesëmarrësit në studim ndaj një stresi të konsiderueshëm, “tha studiuesi Huebner për revistën Healthline. “Dhe kështu mendova me vete, se nuk ka asnjë mundësi që manipulimi ynë i vogël, duke prezantuar një prej intervistuesëve si person me qëndrime homofobike, të regjistrohet në matjen e niveleve të stresit të pjesëmarrësve në studim.”

Huebner tha se kushtet ishin të njëjta për të dy grupet, përveç përshkrimit me një fjali të intervistuesit.

Huebner shpjegoi se studimi ka treguar se luhatjet e vazhdueshme në rrahjet e zemrës, presionit të gjakut dhe prodhimi i shtuar i kortizolit tek këta pjesëmarrës, mund të grumbullohet me kalimin e kohës duke rritur mundësinë e sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjeve infektive, madje edhe vdekjes më të hershme te këto persona.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre stresantëve, përballjes me persona apo realitete jo-pranuese, i ekspozon personat LGBTI+ ndaj një stresi të vazhdueshëm me pasoja të rënda për mirëqenien e tyre.

Katie Brooks Biello, PhD, profesoreshë e asociuar në departamentet e shkencave të sjelljes dhe epidemiologjisë, njëkohësisht dhe nënkryetare e departamentit të shkencave të sjelljes në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Brown, tha për Healthline se kur përgjigjet adaptive ndaj këtij stresi nuk funksionojnë, është e zakonshme që të shfaqen dhe “shenja fizike” të ekspozimit ndaj stresit.

“Për shembull, për shkak se kortizoli vepron si një anti-inflamator, kur nivelet e kortizolit rriten tepër, inflamacioni mund të prek disa organe dhe të ndikojë në sisteme të shumëfishta të organeve, duke rezultuar në lodhje, depresion, dobësim të muskujve dhe kockave, dhimbje, etj.”

Kur shohim rezultatet e këtij studimi, kuptojmë përhapjen dhe efektin e stresit të pakicave te personat lezbike, gej e biseksualë. Anëtarët e tjerë të komunitetit nuk adresohen në studim, siç janë për shembull personat transgjinorë, por efektet e stresit mendohet të jenë në nivele të njëjta, në mos dhe më të mëdha.

Studimi pritet të përsëritet sërish në të ardhmen me një kampion të ri. Studiuesi Huebner deklaroi se do të ishte i interesuar të merrte në konsideratë këto gjetje për studime më specifike në të ardhmen, ndërsa ne vazhdojmë të zbulojmë se sa i dëmshëm dhe me ndikim mund të jetë ky lloj diskriminimi sistematik në shëndetin e përgjithshëm dhe mirëqenien e njerëzve LGBTI+.

Gjatë kësaj periudhe kur kemi më shumë mundësi të flasim për komunitetin LGBTI+ dhe të rrisim vizibilitetin për problematikat e tij, është e rëndësishme të mbajmë në mendje se si stresi i pakicës mund të ndikojë tek individët gej, lezbike e biseksualë, dhe se sa herë më shumë mund të prekë disa nga anëtarët më të ekspozuar nga dhuna e diskriminimi sistematik brenda komunitetit LGBTI+.


Fushata “Changing Hearts, Changing Minds” mbështetet nga programi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës, përmes “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s