
Thirrje për jurist/e
Terma Reference
Qendra Streha kërkon një jurist/e i cili do ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit LGBTI+ për të drejtat e tyre si dhe do të asistojë nevojat e tyre ligjore.
Hyrje
Qendra Streha në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe përmirësimi i situatës ligjore dhe psiko – sociale të personave LGBTI + që jetojnë në zona të thella dhe rurale të Shqipërisë.”, pjesë e skemës së granteve të projektit “Fuqizimi i individëve dhe komuniteteve të margjinalizuara mbi të drejtat e njeriut dhe qasjen në drejtësi”, i financuar nga Agjensia Austriake e Zhvillimit dhe i zbatuar nga UNDP në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, kërkon të punësojë një jurist/e i cili nëpërmjet ekspertizës së vet do ndihmojë në realizimin e sesioneve informuese mbi të drejtat e grupeve të margjinalizuara me në fokus komunitetin LGBTI si dhe do të asistojë nevojat e tyre ligjore përgjatë periudhës së zbatimit të projektit.
Informacion për Qendrën Streha
“Streha” është qendra e parë rezidenciale në Shqipëri që i vjen në ndihmë komunitetit LGBTI+ përmes shërbimit konkret tranzitor për të gjithë të rinjtë LGBTI+, 18-29 vjeç, që hasin dhunë, diskriminim dhe nevojë për strehim për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. “Streha” ofron edhe shërbime për fuqizimin dhe integrimin e individëve LGBTI+.
Informacion për projektin
Projekti “Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe përmirësimi i situatës ligjore dhe psiko – sociale të personave LGBTI + që jetojnë në zona të thella dhe rurale të Shqipërisë” synon përmirësimin e aksesit në drejtësi të të rinjve të grupeve të margjinalizuara me një fokus të vecantë tek komuniteti LGBTI. Objektivi i përgjithshëm i projektit është “Fuqizimi dhe përmirësimi i aksesit në drejtësi për të rinjtë e komunitetit LGBTI+, duke identifikuar dhe eliminuar pengesat që lidhen me këtë process.”
Rezultatet e pritshme të këtij projekti janë:
- 30 të rinjë të komunitetit LGBTI+ dhe grupeve të tjera të margjinalizuara, do të informohen mbi legjislacionin që i mbron nga dhuna dhe diskriminimi dhe do të njihen me shërbimet për ta.
- 30 të rinjë të komunitetit LGBTI+ do të ndihmohen me ofrimin e shërbimeve ligjore.
Në kuadër të këtij projekti, juristi/ja do të asistojë në kryerjen e sesioneve informuese mbi të drejtat dhe situatën e aksesit në drejtësi të të rinjve që janë pjesë e grupeve të margjinalizuara me fokus të vecantë tek komuniteti LGBTI+, dhe do të ndjeki nevojat ligjore të të rinjve LGBTI+.
Përgjegjësitë e juristit/es
Në kuadër të këtij projekti, juristi/ja do jetë përgjegjës për realizimin e detyrave të mëposhtme:
- Së bashku me koordinatorin e projektit do të përgatisi sesionet për rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat.
- Do marrë pjesë në sesionet informuese që do të zhvillohen në qytetin e Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës.
- Do realizojë vlerësimin e nevojave ligjore të të rinjve dhe së bashku me menaxherin e rastit do plotësojë nevojat ligjore të personave LGBTI+.
Përgjegjësitë e Qendrës Streha
- Të identifikojë të rinjtë pjesëmarrës në sesionet informuese.
- Të lehtësojë mbarëvajtjen e punës së ekspertit ligjorë dhe të ndërmjetësojë kontaktin e parë me përfituesit e mundshëm të projektit.
Kualifikimet
- Studime pasuniversitare në Juridik.
- Të paktën 3 vjet përvojë pune relevante.
- Njohje shumë të mirë të Ligjit 10 221 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, Ligjit 9669 “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” dhe çështje të tjera ligjore relevante për vlerësimin e situatës.
- Të ketë eksperiencë në ofrimin e shërbimit ligjorë grupeve të ndryshme të marxhinalizuara.
- Të jetë i/e aftë të respektojë afatet kohore dhe t’iu qëndrojë korrekt atyre.
- Të jetë fleksibel dhe tu përgjigjet nevojave të organizatës kontraktuese.
- Të njohë mirë gjuhët Shqip dhe Anglisht.
Koha e zhvillimit të projektit: 12 Muaj
Dorëzimi i aplikimeve
Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë me e-mail dokumentet e mëposhtme: a) letër interesi në Anglisht, b) cv në Anglisht
Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet ne adresën strehalgbt@gmail.com, brenda datës 12.11.2020.