Personat homoseksualë apo transgjinorë mund të mbajnë distancë nga prindërit e tyre për sa më gjatë të jetë e mundur, pra jovetëm gjatë adoleshencës, pasi iu është dashur shumë kohë për të kuptuar sesi ndjeheshin me veten. Me fjalë të tjera, të rinjtë gej, lezbike dhe biseksualë apo transgjinor shpesh e kuptojnë që në moshë të re që ndihen
“ndryshe”, por mund t’iu duhen vite para se t’iu japin një emër këtyre ndjenjave.
Gjithashtu është me rëndësi të përmendet se shumica e fëmijëve apo të rinjve LGBTI+ që vendosin të dalin hapur tek prindërit e tyre kanë vuajtur në fshehtësi frikën e mospranimit apo refuzimit nga prindi dhe pjestarë të tjerë të familjes.
Duke qenë se jetojnë në një shoqëri që paragjykon ose është homofobike,
atyre iu duhet kohë që të arrijnë të ndërgjegjësohen dhe të pranojnë
seksualitetin e tyre.
Pse fëmija im është gej, lezbike, biseksual apo transgjinor?
Prindërit shpesh e bëjnë këtë pyetje për një sërë arsyesh: ata mund të jenë të mërzitur për humbjen e imazhit të krijuar për fëmijën e tyre; ata ndjehen sikur kanë vepruar gabim diku; mendojnë se dikush “e bëri” fëmijën e tyre homoseksual; ose mendojnë që ka një arsye biologjike të homoseksualitetit.
Disa prindër tronditen dhe e mohojnë faktin që fëmija i tyre është homoseksual. Mund të mendojnë se fëmijën e tyre e kanë bërë homoseksual të tjerë. Koncepti se homoseksualët rekrutojnë është tërësisht i gabuar. Askush nuk mund të bëjë askënd gej, lesbike, biseksual apo transgjinor.
Fëmija duhet ta ketë ditur se ishte i tillë për një kohë të gjatë. Asnjë person apo grup njerëzish nuk “e konvertoi” fëmijën.
Pse prindërit e kanë të vështirë të përshtaten me seksualitetin e fëmijës?
Frika që çdo prind mund të ndjejë është produkt i kulturës sonë paragjykuese. Homofobia është shumë e përhapur në shoqërinë ku jetojmë. Prandaj dhe nuk është e lehtë të çrrënjoset lehtësisht nga ndërgjegja jonë. Për sa kohë që homofobia ekziston, çdo person gej dhe familjar i personave gej, lezbike, biseksual apo transgjinor do të ketë frikë dheshqetësime shumë reale dhe të logjikshme.
Për çdo prind do të ishte shumë ndihmuese të përqendroheshin tek ajo çka fëmija ka nevojë më shumë në atë moment të caktuar, pra mirëkuptim dhe dashuri.
A duhet prindi të këshillohet me një psikolog ose psikiatër?
Asnjë prind nuk duhet të këshillohet me një terapist me shpresën se do të ndryshojë orientimin seksual apo identitetin gjinor të fëmijës. Orientimi seksual apo identiteti gjinor nuk është një sëmundje e cila duhet “kuruar”, por një ekzistencë normale.
Por ka situata kur mund të jetë e dobishme që prindi të konsultohet me persona të cilët kanë përvojë në çështjet familjare, orientimin seksual apo identitetin gjinor.
Theksojmë edhe një herë, që personat gej shpeshherë kanë probleme të pranojnë veten dhe identitetin e tyre seksual. Në kushte të tilla refuzimi edhe nga prindi apo familja mund të jetë një gjëndje e rrezikshme emocionale.
